SPAK komunikon akuzat për Arben Ahmetajn

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për ish-ministrin Arben Ahmetaj dhe dy biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto

SPAK do iu komunikojë nëpërmjet avokatëve akuzat për dosjen që lidhet me inceneratorin e Elbasanit.

Ndaj Ahmetajt rëndon akuza e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, edhe ndaj dy biznesmenëve, ajo e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Për të njëjtën dosje pritet që SPAK të marrë si të pandehur edhe persona të tjerë. Aktualisht ka ndarë hetimet në një procedim tjetër.

Ish-ministri Ahmetaj u shpall në kërkim në muajin korrik të një viti më parë pas një hetimi të nisur në shkurt të të njëjtit vit.

Hetimet ndaj tij fillimisht u zhvilluan për rolin që ai pati si ministër i Financave në inceneratorin e Elbasanit me dyshimet se kishte shpërdoruar detyrën.

Kjo është dosja e dytë e SPAK për të cilën ish-ministri dhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është dërguar për gjykim.

Nga arratia ai ka mohuar akuzat duke e konsideruar hetimin ndaj tij si politik.