SPAK kërkon arrestimin e Arben Ahmetajt, kërkesa në Kuvend

Prokuroria e Posacme ka kërkuar sot arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj.

Shkresa ka mbërritur mëngjesin e kësaj të hëne pranë Kryesisë së Kuvendit, ku kërkohet arrestimi i Arben Ahmetajt dhe kontrolli i banesës së tij.

SPAK kërkon arrestimin e ish ministrit Ahmetaj, ndërsa ndaj tij ka ngritur akuzat për shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Brenda dy ditësh, sipas rregullores se Kuvendit, Nikolla pritet të mbledhë Këshillin e Mandateve lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-ministrit.

Po cfarë parashikon Kodi Penal, lidhur me këto vepra penale?

Korrupsioni – Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga 4 deri në 12 vjet.

Pastrimi i parave – Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga 7 deri në 15 vjet. E njëjta vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet jo më pak se 15 vjet me burgim .

Deklarim i rremë e fshehje pasurie – Fshehja ose deklarimi  i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.