SPAK ka nisur hetimet për “McGonigal” që prej Janarit 2022

Kreu i SPAK, Altin Dumani thotë se Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedim penal për çështjen McGonigal, që në Janar të vitit 2022.

Deklarata e tij vjen teksa po zhvillonte një bashkëbisedim me studentët në Universitetin e Shkodrës.

Altin Dumani theksoi se “duhet të presim momentin kur të kemi diçka konkrete për ta publikuar”.

“Për SPAK nuk ka rëndësi emri, por provat. Ne si strukturë jemi të vëmendshëm ndaj publikimeve në media. Shumë media në shkurt të vitit të kaluar e deri para 10 muajsh nuk kanë lënë kritika për aferën “McGonigal”. Kritikët duhet të ndihen të zhgënjyer sepse e kemi regjistruar që në janar të vitit 2022. Duhet të presim momentin kur të kemi diçka konkrete për ta publikuar. Në fakt nuk bëjmë publik çdo gjë që bëjmë. Natyra e punës tonë kërkon që të jemi diskretë. Presionet politike nuk na bëjnë përshtypje. E kemi zgjedhur ta bëjmë këtë punë. Mua nuk më shqetëson fare”, mësohet të jetë shprehur Dumani.

Të hënën në SPAK u pyet për rreth 6 orë biznesmeni Agron Neza.

Agron Neza përmendet në dosjen e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, i hetuar nga kolegët e tij në Amerikë.

McGonigal u dënua në SHBA për njërën prej dosjeve dhe vijon në gjykim për dosjen tjetër, aty ku dyshohet të ketë përfituar nga një shtetas shqiptar shuma të larta monetare