SPAK dërgon për gjykim Safet Gjicin dhe Alma Kaçin

Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim dhe ka marrë si të pandehur ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjicin dhe Alma Kaçin.

Në një njoftim SPAK bën  me dije se në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar me kërkesë Gjykatës së Posaçme për dërgimin në gjyq në ngarkim të të pandehurve, Safet Gjici dhe Alma Kaçi.

Në përfundim të hetimeve paraprake, SPAK thotë se janë përfituar prova dhe të dhëna nga analizimi i së cilave ka rezultuar se Alma Kaçi i ka ofruar dhe dhënë përfitime të parregullta ish-kryebashkiakut Safet Gjici kur ky i fundit ushtronte detyrën e kryetarit të Bashkisë Kukës.

Sipas SPAK janë përfituar prova se Safet Gjici ka përfituar prej Alma Kaçit përfitimin e parregullt në formën e favorit seksual dhe i ka premtuar dhe ka pranuar të ndihmojë Kaçin me projektin e saj të mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kukës.

Njoftimi zyrtar nga SPAK

Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit ka kryer hetime në kuadrin e proçedimit penal nr. 145, viti 2023, për veprat penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuar nga neni 245 i K. Penal.

Në përfundim të hetimeve paraprake Prokuroria e Posaçme,  ka vendosur t’i drejtohet  me kërkesë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për dërgimin e çështjes në gjyq, në ngarkim të të pandehurve:

1. Safet Gjici, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale Kryetar i Bashkisë Kukës, i akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuara nga neni 260 i K. Penal, hetuar me masën e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale (ekzekutuar në datë 24.06.2023).

2. Alma Kaçi, e akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuar nga neni 245 i K. Penal, hetuar me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale (ekzekutuar në datë 24.06.2023).

Në përfundim të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, janë përftuar prova dhe të dhëna nga analizimi i të cilave ka rezultuar se e pandehura Alma Kaçi, është personi që i ka ofruar/dhënë përfitime të parregullta të pandehurit Safet Gjici, me detyrë Kryetar i Bashkisë Kukës dhe se ky i fundit pasi ka përfituar prej saj përfitimin e parregullt, në formën e favorit seksual, ka premtuar/pranuar ta ndihmojë me projektin e saj të mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kukës.