SPAK bëhet bashkë me Agjencinë britanike: Për të luftuar trafikun dhe pastrimin e parave

SPAK dhe Agjencia Kombëtare kundër Krimit në Angli, njohur ndryshe si NCA kanë arritur së bashku një marrëveshje që do të ndihmojë në luftën kundër trafikut të drogës, armëve, klandestinëve dhe pastrimit të parave.

Ditën e sotme drejtuesi i SPAK, Altin Dumani u takua me drejtorin e NCA, Graeme Biggar të cilët së bashku firmosën një marrëveshje bashkëpunimi, me në fokus trafiqet dhe aktivitetin e pastrimit të parave nga eksponentë të krimit të organizuar me bazë shqiptare.

Përmes njoftimit zyrtar, SPAK tregon se marrëveshja do ndihmojë në komunikimin e drejtpërdrejt mes dy strukturave. Përmes kësaj marrëveshjeje pritet të lehtësohet gjurmimi i veprimtarive kriminale, të investimeve që bëhen nga paratë e përfituara.

Kjo është marrëveshja e parë që kryhet mes dy vendeve, ajo e Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit në Angli me një institucion të drejtësisë në Shqipëri.