Sot Dita e Rinisë, 33 vjet nga Lëvizja Studentore e dhjetorit

Sot shënohen 33 vite nga Lëvizja Studentore e dhjetorit, që njihet ndryshe si Dita Kombëtare e Rinisë.

Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.

Më 8 dhjetor të vitit 1990, rreth 300 studentë nisën atë që më vonë u quajt Lëvizja Studentore e 1990-ës.

Të organizuar së bashku me një grup pedagogësh të Universitetit të Tiranës, ata marshuan nga Qyteti Studenti drejt qendrës së Tiranës, duke u bërë iniciatorë dhe protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.

Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.

Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës, integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.

Akti i tyre publik, sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetë-izolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.