Sociologu Gëzim Tushi: Shkollat jo “kokë turku” për sjelljen e të rinjve

Siguria në shkolla, marrëdhëniet mes fëmijës dhe prindit, apo marrëdhëniet nxënës-mësues janë disa nga çështjet me rëndësi në Shqipëri, sidomos në kohën kur Policia ka bërë së fundmi publik edhe një plan ku kërkohet më shumë angazhimi i strukturave policore në institucionet arsimore.

Me 20 libra të botuar, secili që trajton një tematikë të caktuar e ku një pjesë të fokusit e kanë të rinjtë, sociologu i njohur Gëzim Tushi ndalet tek ta dhe problematikat me të cilat po përballen më së shumti.

Në intervistën për “Tibo News” ai thotë se është shumë e rëndësishme që të garantohet siguria në shkolla dhe se prania e policisë në këto institucione nuk duhet të jetë frikësuese dhe as nuk duhet të konsiderohet militarizim.

Në gjykimin e tij, rreziku prek më shumë grupmoshat 12-14-16 vjeç duke lidhur edhe me tranzicionin fizik të tyre, por ende jo plotësisht zhvillimin mental.

Ai përmend edhe rastet kur persona pedofilë gjurmojnë pikërisht këto grupmosha. “Duhet të jemi të vërtetë”, thotë ai dhe ndalet tek aspekti i seksualitetit.

Ndërsa për prindërit thotë se duhet të bëhen prindër për herë të dytë, pikërisht për shkak të këtyre ndryshimeve që përjetojnë fëmijët e tyre.

Sociologu Tushi thekson se ka fëmijë të edukuar dhe fëmijë me problematika familjare. Por thekson se shkolla nuk duhet të bëhet “kokë turku”, ku shkaku mund të jetë mungesa e prindërimit, dhuna brenda mureve të shtëpise, çështjet e divorcit etj.  Ai ndalet veçanërisht edhe tek bullizimi në shkolla duke evidentuar disa tipare e duke e konsideruar si një këmbanë alarmi të kohëve  të fundit.

Sociologu nuk e sheh si problematikë apo rrezik teknologjinë. Ai thotë se teknologjia në vetvete është progres dhe mundësi e madhe për njeriun. Çështja është kultura e përdorimit të teknologjisë, dhe dëmet që shkakton e jo vetëm fizike.

“Në kohën e sotme janë zgjeruar ato që filozofët i quajnë “fenomene PSI”, pra fenomene psikologjike. Njerëzit kanë probleme”, thotë sociologu Tushi, por nëse në ato fizike përballohen, ato të brendshmet shkaktojnë dëme të mëdha. Ai komenton rolin e psikologut në shkolla dhe rëndësinë e tyre në raportin me nxënësit.

Këshilla e Gëzim Tushit për të rinjtë lidhet vetëm me librin, ndonëse raporti i njeriut me librin në epokën digjitale ka pësuar një transformim.

*Tibo News.