
Skocia humbet çështjen gjyqësore, s’ka referendum!
Qeveria skoceze nuk mund të mbajë referendum për pavarësinë pa miratimin e qeverisë së Britanisë. Këtë ka vendosur Gjykata e Lartë së fundmi ndërsa ministrja e parë e qeverisë skoceze Nicola Sturgeon kërkon që referendumi të mbahet ,më 19 tetor të vitit të ardhshëm. Sipas Gjykatës, qeveria skoceze nuk ka fuqinë për ta realizuar këtë referendum. Edhe qeveria britanike deri më tani ka refuzuar të japë pëlqimin zyrtar për një referendum.
Presidenti i gjykatës Reed tha se ligjet që krijuan Parlamentin e deleguar skocez në 1999 nënkuptonin se ai nuk kishte fuqi mbi fushat e kushtetutës, duke përfshirë bashkimin midis Skocisë dhe Anglisë.
Këto çështje janë të rezervuara për Parlamentin e Britanisë, tha ai, dhe në mungesë të një marrëveshjeje midis dy qeverive, Parlamenti skocez nuk është në gjendje të nxjerrë ligje për një referendum.
Sturgeon deklaroi se ishte zhgënjyer nga vendimi, por respektoi fjalën e gjykatës dhe theksoi se gjyqtarët nuk e bëjnë ligjin dhe vetëm e interpretojnë atë.
Sondazhet e fundit të opinionit kanë sugjeruar se vendi është në thelb i ndarë në mes për çështjen e pavarësisë, por me një shumicë shumë të ngushtë në favor të qëndrimit në Britani.
Gjykata dëgjoi dy ditë argumente ligjore nga qeveria e Britanisë dhe ajo skoceze muajin e kaluar, me vendimin që u dha vetëm gjashtë javë më vonë, më herët sesa kishin pritur shumë ekspertë.
Referendumi i pavarësisë në vitin 2014, në të cilin votuesit mbështetën qëndrimin në Britani nga 55% në 45%, ishte i mundur sepse qeveria e Britanisë ra dakord të transferonte përkohësisht kompetencat e nevojshme në Parlamentin Skocez për të lejuar mbajtjen e votimit.
*Tibo News