AlbanianEnglish

“S’këndoj dot më”, Celine Dion njofton për sëmundjen e rrallë

Këngëtarja me famë botërore, Celine Dion, nuk mundet të performojë më si dikur, për shkak të një çrregullimi neurologjik.

Lajmin e ka dhënë vetë artistja 56-vjeçare përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale.

Këngëtarja kanadeze tha se ishte diagnostikuar me të ashtuquajturin “Sindroma e ngurtësimit”, një çrregullim i rrallë neurologjik që i shkakton spazma të forta muskulore.

Ajo tha se spazmat i ndikojnë në përditshmëri duke i pamundësuar lëvizjet normale dhe po kështu të kënduarit.

Pas lajmit, Dion konfirmoi se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të shtynte turneun e saj “Courage”, i cili do të rifillonte në shkurt pas disa vonesave prej pandemisë.

Shfaqjet e saj të pranverës 2023 tani janë zhvendosur në 2024 dhe koncertet e saj të verës 2023 janë anuluar fare.

Dion, e cili ka 5 çmime Grammy dhe 2 çmime Oscar, është artistja që ka arritur më shumë shitje në të gjitha kohërat me hite si “I’m Alive” dhe “My Heart Will Go On”.

Por çfar është sindroma që ka prekur këngëtaren Dion?

Sindroma e “personit të ngurtë” shkakton ngurtësim të muskujve me dhimbje të forta, të cilat mund të shkaktohen nga zhurmat e forta apo dhe prekja më e lehtë.

Sipas Institutit Amerikan për Çrregullimet Neurologjike, sindroma prek dy herë më shumë gratë se burrat.

Njerëzit që vuajnë nga ky çrregullim u pengohen lëvizjet, ecja apo dhe dalja nga shtëpia, sepse zhurmat e rrugëve, mund të shkaktojnë spazma dhe rrëzime.

Çrregullimi shpesh diagnostikohet gabimisht si sëmundja e Parkinsonit, skleroza e shumëfishtë, fibromialgjia apo ankthi ose fobia, por një diagnozë përfundimtare mund të bëhet me një test gjaku.

Shkencëtarët ende nuk e kanë identifikuar shkakun e kësaj sindrome, por hulumtimet sugjerojnë se ajo mund të shkaktohet nga një reaksion autoimun.

Sistemi imunitar duket se sulmon një proteinë të quajtur dekarboksilaza e acidit glutamik (GAD) që ndihmon prodhimin e një neurotransmetuesi të rëndësishëm – ose sinjalizues kimik – në tru.

Njerëzit me sindromën e personit të ngurtë kanë nivele të larta të antitrupave GAD që mund të maten në gjakun e tyre.

Shumë pacientë me sindromën që ka Dion, kanë gjithashtu një sëmundje tjetër autoimune si diabeti, tiroiditi, ose anemi pernicioze, një gjendje autoimune ku zorrët nuk mund të absorbojnë siç duhet vitaminën B12.

Nuk ka kurë për sindromën e ngurtësimit, trajtimet aktuale mund të lehtësojnë vetëm simptomat.

Një rrezik serioz për njerëzit që vuajnë nga sindroma e ngurtësimit është se ata mund të bien lehtësisht dhe të pësojnë lëndime.

Por ilaçet kundër ankthit, relaksuesit e muskujve, antikonvulsantët, qetësuesit e dhimbjes dhe terapia me imunoglobulinë mund të ndihmojnë në reduktimin e ngurtësisë dhe uljen e ndjeshmërisë së tyre ndaj zhurmës, prekjes dhe stresorëve të tjerë.

You don't have permission to register