“S’ka ma turp” synon rritjen e standardit të mediave, thotë Fabian Zhilla

Një grup intelektualësh ka nxitur prej muajsh një nismë të quajtur “S’ka ma turp”, që synon të rrisë cilësinë e mediave në Shqipëri.

Nisma është konkretizuar me një peticion, i cili është mbështetur nga mbi 10 mijë qytetarë dhe i është drejtuar autoriteteve si AMA, apo Komisioni i Medias në Kuvend.

Eksperti i kriminalistikës dhe sigurisë, Fabian Zhilla, i cili është një prej organizatorëve, shpjegoi për Tibo News se nisma ka të bëjë me nxitjen e qasjes kritike ndaj programeve televizive që në thelb kanë seksizmin.

Zhilla e sheh krimin dhe korrupsionin si prirje sociale. Ai thotë se kjo prirje mund të marrë frymëzim nga programet televizive, të cilat janë më shumë të përqendruara te fitimi se sa te vlerat edukuese.

Gjithçka nisi nga një opinion i shprehur publikisht ku Zhilla shfaqi kritikë të hapur ndaj disa emisioneve “prime-time”. Ai tha për Tibo News, se në bashkëpunim me disa intelektualë të tjerë, e përkthyen këtë analizë në një peticion.

Peticioni u prit mirë duke mbledhur mbi 10,000 firma nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Zhilla theksoi për Tibo News se nisma nuk synon censurimin, apo mbylljen e emisioneve, por nxitjen e një reagimi nga autoritetet e mediave për një diskutim gjithëpërfshirës, i cili mund ta rrisë standardin e mediave. 

“Ne nuk kemi kërkuar mbyllje emisionesh, […] kërkojmë të diskutohet në mënyrë konstruktive, kritike. Të diskutosh mbi moralin nuk është moralizëm sepse nuk besojmë që shoqëria jonë është e pamoralshme,” – thotë Zhilla.