
Situata në Veri të Kosovës, Serbia zyrtare akuzon Albin Kurtin
Vrasja e efektivit të Policisë së Kosovës ditën e djeshme ka ngjallur reagime të shumta. Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç ka rritur pretendimet e presidentit Aleksandër Vuçiç teksa bëjnë fajtor kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Kryeministrja serbe tha se i vetmi fajtor për konfliktet në Veri është Albin Kurti. Ajo shtoi se Vuçiç e kishte paralajmëruar se një konflikt i tillë mund të ndodhte më herët për shkak të mungesës së Asociacionit.
Lidhur me situatën aktuale, një ditë pas sulmit terrorist që i mori jetën një efektivi të Policisë së Kosovës dhe la pas dy të tjerë të lënduar, situata në Veri të Kosovës duket e qetë.
Operacioni i policisë ende vijon, ndërsa ende nuk dihet se çfarë ka ndodhur me agresorët e tjerë serbë të cilët u larguan nga manastiri i Banjskës pas ndërhyrjes.
Aktualisht, hyrja në fshatin Banjskë është e pamundur, aty janë lejuar vetëm banorët e zonës, të cilët i janë nënshtruar një kontrolli të rreptë.