
Situata në veri të Kosovës e qetë, serbët paralajmërojnë se do vazhdojnë edhe sot protestat
Situata e sigurisë në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok mëngjesin e së martës është e qetë, thanë nga Policia e Kosovës, teksa sot gjatë ditës serbët lokalë kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë protestat.
Ai tha se zyrtarët policorë po vazhdojnë të qëndrojnë pranë tri ndërtesave komunale në veri të Kosovës.
Serbët lokalë po kundërshtojnë hyrjen në komuna të kryetarëve të rinj shqiptarë të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit. Ata po ashtu po kërkojnë që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu i banuar me shumicë serbe.
Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar ashpër vendimin e Qeverisë së Kosovës që kryetarët e rinj të shkonin në zyrat komunale më 26 maj, kur dhe u ngritën tensionet.
Kosovës i është kërkuar që të heqë dorë nga “masat e dhunshme” dhe “veprimet e njëanshme”. Por, autoritetet në Prishtinë i kanë cilësuar si legjitime veprimet e tyre në veri.
Zgjedhjet në veri u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm në nëntorin e kaluar – që të gjithë nga Lista Serbe – për shkak të kundërshtimit të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa RKS – Republika e Kosovës.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, nuk mori pjesë në zgjedhje dhe serbët gjerësisht bojkotuan procesin e votimit. /REL