
Sistemi imunitar, sistemi natyror i mbrojtjes së njeriut
Sistemi imunitar e mbron vazhdimisht njeriun nga infeksionet, parazitët, bakteret apo dhe viruset.
Ka dy lloje imunitetesh:
1- Imuniteti i lindur është fronti i parë i mbrojtjes dhe përbëhet nga barriera fiziologjike si për shembull lëkura, mukoza, loti, apo pështyma. Këto arrijnë ta shkatërrojnë një agjent të jashtëm që synon të hyjë në trup.
2- Imuniteti i fituar është si të thuash fronti i dytë. Ky është ai lloj imuniteti që zhvillohet pas procesimit të antitrupave për të asgjësuar agjentë patogjenë që mund t’ia kenë dalë mbanë ta kalojnë frontin e parë. Këto procesime arkivohen dhe trupi mund t’u rikthehet më pas sa herë një patogjen i ngjashëm shfaqet sërish.
Çelësi i sistemit imunitar është i ashtuquajturi sistem limfatik, gjëndrat e këtij sistemi arrijnë të filtrojnë rreziqet dhe mikro-organizmat nga enët e gjakut duke prodhuar lloje rruazash të bardha leukocite (leukocyte) si:
- Makrofaget (macrophage) që gjurmojnë, identifikojnë dhe asgjësojnë agjentët patologjikë.
- Basofilet (basophils) që sinjalizojnë për trupa të huaja dhe nxisin reagimin inflamator.
- Eosinofilet (eosinophils) që sulmojnë parazitët dhe nxisin përgjigjen alergjike.
- Neutrofilet (neutrophils) që sulmojnë bakteret apo kërpudhat.
- Limfocitet-B (B-Cells) krijohen si antitrupa specifike të jashtme si për shembull viruset.
- Limfocitet-T (T-Cells) asgjësojnë qelizat e infektuara nga trupat e jashtme.
*Përkthyer dhe përshtatur nga AFP/TIBO-News.