
Sinjalet për luftë, SHBA vë në dispozicion 8500 trupa si ndihmë për Ukrainën
Situata në kufi me Ukrainën duket serioze. Rreth 8500 trupa amerikanë janë vënë në gatishmëri për një dislokim të mundshëm në Evropën Lindore ndërsa trupat rusë janë grumbulluar në kufirin e Ukrainës.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin ka njoftuar se do të zbatohen urdhrat e SHBA-ve nën drejtimin e presidentit amerikan Joe Biden. Ky është hapi i fundit që Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë për t’u përgatitur për një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës, që zyrtarët kanë paralajmëruar se mund të jetë i afërt.
Trupat ushtarakë të vendosura sipas zyrtarëve amerikanë, kanë për qëllim të forcojnë reagimin e shpejtë të NATO-s. Megjithatë siç tha sekretari amerikan për mbrojtjen, Lloyd Austin, SHBA-të do jenë në gatishmëri për çdo rast të paparashikueshëm.
Gjatë ditës së djeshme, mediat amerikane raportuan se administrata e Joe Biden ishte në fazat përfundimtare të identifikimit të njësive të veçanta ushtarake që do të dërgoheshin në Evropën Lindore.
SHBA-të kanë paralajmëruar se një pushtim i mundshëm i Ukrainës nga Rusia mund të jetë i pashmangshëm. Departamenti i Shtetit reduktoi të dielën personelin në ambasadën amerikane në Kiev, Ukrainë për shkak të situatës së trazuar.
Joe Biden u takua virtualisht me liderët evropianë pasditen e të hënës, ku u pati bisedime lidhur me përgjigjen e aleatëve europianë të situatës ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës.
Përfaqësuesit e vendeve, kanë nisur ndërkohë përgatitjet për të imponuar pasoja masive dhe kosto të rënda ekonomike ndaj Rusisë.
Në përfundim të takimit, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha: “Ne pajtohemi me mendimin se çdo agresion i mëtejshëm i Rusisë kundër Ukrainës do të ketë kosto të rënda.