
Silvio Berlusconi tërhiqet nga kandidimi për president
Ish kryeministri i Italisë Silvio Berlusconi ka njoftuar se nuk do të kandidojë për president. Vendimi i tij heq edhe një pengesë për negociatat ndërpartiake para votimit në parlament që fillon më 24 Janar.
Emërimi i kryeministrit Mario Draghi për president shihet si rezultati më i mundshëm, por është ende e paqartë nëse sfera e gjerë e partive që mbështesin koalicionin e tij do ta mbështesin kandidimin, kjo nga frika se largimi i tij nga kryeministria drejt Presidencës mund të shkaktojë zgjedhje të parakohshme kombëtare.
Berlusconi tha se do donte që ish Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane të qëndrojë në krye të qeverisë deri në fundin e mandatit në vitin 2023.
Në deklaratën gjatë takimit virtual me liderë të tjerë të krahut të djathtë, Berlusconi këmbënguli se i kishte emrat dhe numrat për mbështetjen, por në frymën e “përgjegjësisë kombëtare”, tha se iu kishte kërkuar atyre që parashtruan emrin e tij ta tërhiqnin atë.
“Sot. Italia ka nevojë për unitet”, tha ai, duke vënë në dukje pandeminë e vazhdueshme të koronavirusit.
Koalicioni i djathtë i kishte kërkuar Berlusconit të kandidonte për president, por oferta e tij nuk kishte gjasa të ishte e suksesshme për shkak të vështirësive në marrjen tradicionalisht të mbështetjes së gjerë të nevojshme midis më shumë se 1,000 ligjvënësve dhe rajonalëve.
Berlusconi është një figurë tepër përçarëse në Itali dhe kampi i qendrës së majtë tashmë e kishte përjashtuar mundësinë e mbështetjes së tij.
Ai hoqi dorë nga postet publike pas akuzave për mashtrim tatimor në vitin 2013. Ai është ende në gjyq nga një seri rasteshku akuzohet për ryshfet.
Presidenti i Italisë është një post kryesisht ceremonial, por luan një rol vendimtar arbitrazhi gjatë krizave politike dhe ka ndikim të rëndësishëm politik gjatë mandatit shtatëvjeçar.