
Sigurim jete deri në 10 mln lekë për policët e FA, ja kategoritë
Në vendimin më të fundit të qeverisë botuar në Fletoren Zyrtare, parashikohet se 4 kategori të personelit të Policisë Ushtarake të Forcave të Armatosura do përfitojnë sigurim jete 5 milionë deri në 10 milionë lekë për rastet e aksidenteve në punë apo humbjes së jetës.
Referuar vendimit përfitues do të jenë punonjësit e Sektorit të Policisë Kriminale, Inspektorati i Qarkullimit Rrugor; seksioni i Rendit Ushtarak; Inspektorati për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin dhe Toga e Ruajtjes se Sigurisë së Personaliteteve në Kompaninë Operacionale dhe Objekteve të Veçanta.
Shuma e përcaktuar në kontratën e sigurimit, për çdo person të siguruar, nuk mund të jetë më e ulët se: 10 milionë lekë, për rastet e humbjes së jetës për shkak të detyrës a zhdukjes së personit; 5 milionë lekë, për rastet e dëmtimit të rëndë fizik; 50 mijë lekë, për rastet e dëmtimit të lehtë fizik gjatë ushtrimit të detyrës.
Në vendim specifikohet se efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
Ky sigurim do të mbuloje rastet :
Humbjes së jetës për shkak të detyrës apo si rezultat i aksidenteve gjatë ushtrimit të saj;
zhdukjes për shkak të detyrës;
paaftësisë së përhershme, të plotë ose të pjesshme, si rezultat i një aksidenti gjatë ushtrimit të detyrës;
paaftësisë së përkohshme, të plotë ose të pjesshme, si rezultat i një aksidenti gjatë ushtrimit të detyrës;
shërbimeve mjekësore në spitalet publike ose private jashtë shtetit, kur mbulimet shëndetësore nuk ofrohen në spitalet publike brenda vendit.