Si të kursejmë nëse çmimi i energjisë rritet në të ardhmen

Qeveria pezulloi vendimin për të shtrenjtuar energjinë me argumentin se reshjet e shtatorit përmirësuan situatën hidrike në katër centralet e Drinit, një nga zonat prej ku prodhohet treçereku i energjisë në Shqipëri. Por kjo nuk do të thotë se qytetarët duhet të jenë të qetë për konsumin, pasi situata mund të jetë ndryshe në rast se dimri do jetë i thatë dhe pa reshje.

Përballë një tregu me çmime në rritje të energjisë – diktuar nga embargo ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë, – qeveria kishte vendosur që pas 1 tetorit të aplikonte fashë me dy çmime për konsumin: 9.5 lekë/kW deri në 800 kilovatë dhe 45 lekë/kW për pjesën mbi 800 kilovatë të konsumuar.

Vendimi është pezulluar përkohësisht, por kjo nuk do të thotë se qytetarët duhet ta marrin lehtë dhe të vijojnë të konsumojnë pa fre energji elektrike. Përkundrazi.

Ulja e konsumit, do të lehtësonte buxhetin nga nevoja për të blerë energji elektrike në rastet e një mungese prodhimi dhe ndryshe do t’i shtonte ndjeshëm të ardhura në rastet e një mbiprodhimi.

Por kush janë pajisjet dhe veprimet që kushtojnë më shtrenjtë nga konsumi i energjisë për qytetarë?

Nëse i referohemi Eurostat, kostoja më e madhe e energjisë së konsumuar nga familjarët shkon për ngrohjen e shtëpisë dhe të bojlerëve (77.9%), pjesa tjetër shkon për ndriçim (14.5%), gatim (6.1%), dhe elektro-shtëpiake të tjera (1.5%).

Ngrohja e shtëpisë është problem domethënës për ata që nuk kanë një sistem të mirë izolimi. Një shtëpi që fut të ftohtë nga dritaret, dyert, apo dhe korridoret kërkon kosto të lartë për t’u ngrohur. Zgjidhja mund të jetë përqendrimi i ngrohjes vetëm në një dhomë, apo mbyllja mirë e dyerve dhe dritareve.

Pajisjet që konsumojnë shumë energji janë larësit e rrobave apo dhe pjatave, sidomos në momentin kur vihen në punë me procese që kërkojnë ngrohjen e ujit. Po kështu përdorimi i shpeshtë i ujit të nxehtë në një sistem hidraulik me bojler nxit konsum energjie shtesë duke qenë se bojleri do të mbetet në punë për të ngrohur herë pas here ujë.

Ngjashëm në kuzhinë konsumojnë sobat dhe frigoriferët. Gatimet që kërkojnë ngrohje të gjatë, apo hapje-mbyllje të shpeshta për të marrë gjëra në frigorifer, do të kërkojnë më shumë rrymë për të ruajtur temperaturën e nevojshme.

Ndër veprimet që shtojnë konsumin janë: larjet e shpeshta të rrobave me temperatura mbi 30 gradë, dushet e gjata me ujë të ngrohtë, lënia e frigoriferit hapur për shumë kohë, lënia e dritave ndezur apo e pajisjeve në “Standby Mode”.

Kështu, nëse situata energjetike e vendit do të përkeqësohet sërish, ajo që qytetarët duhet të kenë parasysh për të mos rënduar xhepat, është që të kenë kujdes me ngrohjen dhe sidomos pajisjet që konsumojnë tepër.

*Tibo News.