
Si përhapen dhe fiken zjarret në pyje?
Zjarret në pyje përhapen si rrjedhojë e ndikimit të kombinuar mes erës, relievit dhe bimësisë.
Era i shpërndan flakët duke diktuar drejtimin. Ajo mund të hapë edhe vatra të reja duke çuar përtej grimcat e ndezura. Ndërkohë bimësia i ushqen flakët me material për t’u djegur.
Sa më e thatë të jetë bimësia, aq më të mëdha dhe të rrezikshme kthehen zjarret. Përhapja e vatrave bëhet më e shpejtë dhe kontrolli i tyre më i vështirë për t’u arritur. Në raste të ndryshme flakët mund të lëvizin deri në 5 kilometra në orë.
Zjarret kryesisht përqendrohen në nivelin e tokës, por sa më e dendur me bimësi të jetë një zonë, aq më të larta do të jenë flakët. Gjithashtu zonat që kanë tokë të mbuluar me mbetje bimësh si për shembull gjethe, kanë probabilitet më të lartë për t’u rrezikuar nga flakët.
Një tapet gjethesh të thata është kombinimi perfekt për një zjarr të furishëm. Po kështu ngjashëm ndikon edhe relievi. Pjerrësia e madhe i jep një kënd të përshtatshëm flakëve për t’u përhapur më shpejt.
Kjo është dhe arsyeja se përse zonat e thella kërkojnë monitorim të vazhdueshëm nga ajri në situatat e zjarreve.
Shuarja e flakëve nga ajri bëhet kryesisht me ujë të përzierë me substanca sintetike polimeri. Kjo bëhet duke spërkatur vatrat dhe zonat përreth në mënyrë që të shtohet lagështia dhe të ulet mundësia e djegies së bimësisë.
Avionët më të mëdhenj mbajnë deri në 6 mijë litra ujë ndërsa paralelisht kërkohet që spërkatje me ujë të bëhen pa ndërprerje edhe nga toka.
Një metodë tjetër për fikjen e zjarreve është e ashtuquajtura zjarr-vënia taktike. Kjo bëhet nga zjarrfikës profesionistë dhe ka të bëjë me djegien përmes zjarreve të kontrolluara të bimësisë në zonat ku parashikohet ta ketë drejtimin zjarri/Tibo News.