Si mund të ndryshojmë humorin e zymtë këtë periudhë?

Shkurtimi i ditëve ka padyshim gjasë të ndikojë në humorin tonë, jo dhe aq pozitivisht. Gjatë dimrit temperaturat ulen dhe natyrshëm kemi prirjen të jemi më pak social e t’i bëjmë bisht ndërveprimit. Mungesa e aktiviteteve fizike është tjetër shkak që ndikon te shëndeti mendor. Për t’i bërë bisht kësaj mërzie që vjen nga stinët “e zymta” do ndajmë me ju disa këshilla.

  • Plane, shumë plane

E dimë që mbase në fillim kjo mund të duket si diçka që ju lodh, por në të njëjtën kohë, kjo ju mban të karikuar gjatë gjithë kohës. Sigurisht këtu jemi duke folur për plane që kanë të bëjnë me gjëra që ju keni qejf të bëni, të dilni, të argëtoheni, të organizoni festa apo çfarëdo tjetër. Epo, po ta mendosh, vjeshta dhe dimri nuk janë stinë të mërzitshme, por me të njëjtat mundësi argëtimi, si të tjerat.

  • Rutinë e aktivitetit fizik në shtëpi

Pa dalë nga zona juaj e komfortit, ashtu brenda në shtëpi, ju mund të bëni aktivitet fizik, qoftë edhe 10 minuta. Ju mbase nuk e kuptoni, po edhe kjo kohë relativisht e shkurtër është në gjendje t’ju ndryshojë gjendjen tuaj emocionale. Mund të provoni çdo lloj aktiviteti që ju pëlqen.

  • Veshje dimërore

Detaj i vogël në dukje, po arsye tjetër që ndikon në humor është se të dalësh në këtë periudhë, duhet të jesh i përgatitur mjaft mirë me veshje të trasha e të përshtatshme. Si i tillë, investimi në veshje dimërore mund t’ju shtojnë edhe dëshirën për të dalë.