
Shuhet në moshën 65-vjeçare Presidenti i PE-së David Sassoli
Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, është ndarë nga jeta në moshën 65 vjeçare të martën. Politikani italian, që mbështeti fort Shqipërinë në procesin e integrimit në BE, ishte shtruar prej të paktën një muaji në spital për shkak të ndërlikimeve me sistemin imunitar. Ai kishte ndërprerë të gjitha aktivitetet politike.
“Sassoli ndërroi jetë në orët e para të së martës në një spital në Aviano”, shkroi në Twitter zëdhënësi i tij Roberto Cuillo.
Në shtator të vitit 2021 Sassoli qe shtruar në një spital të Strasburgut ku qe trajtuar për pneumoni, por shëndeti i tij u përkeqësua ndjeshëm muajt që pasuan.
Politikanët shqiptarë, me të cilët Sassoli qe takuar zyrtarisht gjatë aktivitetit të tij, shprehën trishtim për ndarjen e parakohshme nga jeta.
“I hidhëruar nga humbja e papritur e një europianisti të shquar dhe mbështetësi të palodhur të zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor dhe integrimit të Shqipërisë, Presidentit të Parlamentit Europian, David Sassoli. Ngushëllime për familjen e Tij dhe institucionet europiane!” – shkroi Presidenti Ilir Meta.
“Çfarë trishtimi! Miku ynë i mirë, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, një europian i paepur, një italian krenar, një avokat i zjarrtë i Shqipërisë, gazetar i shquar dhe më pas politikan i respektuar nga të gjithë, ndërroi jetë befasisht duke lënë pas një boshllëk të ndjeshëm tek kushdo pati nderin e kënaqësinë ta njihte…” – shkroi në Facebook Kryeministri Edi Rama.
“Jam thellësisht e dëshpëruar për ndarjen nga jeta të Presidentit të Parlamentit Evropian, David Maria Sassoli. Evropa humbi një politikan e shtetar të shquar, Parlamenti Evropian liderin e tij vizionar, Shqipëria humbi një mik të madh, të rrallë e të çmuar, që ishte, siç u shpreh ai vetë në takimin që patëm para një muaji, ‘zëri i Shqipërisë brenda BE-së’. Ngushëllime familjes! Pushofsh në paqe, i dashur David” – shkroi Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
“Thellësisht e pikëlluar e humbja e papritur e Presidentit të PE-së. David Sassoli, një kampion i vlerave evropiane, një president i shquar dhe një mik i dashur për Shqipërinë”, vijoi ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka.
“Thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të David Sassoli, Presidentit të Parlamentit Europian, miku i mirë i shqiptarëve dhe mbështetës i sinqertë i aspiratës tonë kombëtare për integrimin europian. Ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe bashkëpunëtorve të tij për këtë humbje pikëlluese. U prehtë në paqe!” – shkroi në Twitter kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, në shkurt të vitit 2020 kryebashkiaku Erion Veliaj i pati dorëzuar Sassolit “Çelësin e Tiranës”, duke e konsideruan atë mik të shqiptarëve dhe mbështetës të aspiratave evropiane të vendit tonë.
“Iku shumë shpejt! Me trishtim të thellë dëgjova për largimin e hershëm të David Sassoli. Presidenti karizmatik i Parlamentit Europian, një evropian i pasionuar, një italian tipik, një adhurues i vërtetë i Shqipërisë, dhe një mik i dashur! Trashëgimia e tij bujare do të mbetet! Addio amico mio” – shkroi Veliaj.