Shtyhet sërish seanca për Berishën, avokati i bën një thirrje kreut të SPAK

Sërish është shtyrë seanca në GJKKO lidhur me revokimin e masës së sigurisë ndaj ish kryeministrit të vendit Sali Berisha. Avokati i Berishës ka deklaruar se seanca mbahet të hënën e ardhshme, por “skenari do të përsëritet”.

Sipas tij, nuk janë paraqitur prokurorët dhe kjo gjë jo vetëm shkel ligjin, por edhe etikën.

Ai i bëri thirrje drejtuesit të SPAK Altin Dumani që ta shohë me kujdes rastin, por edhe mediat. Ai tha:

“Është jo vetëm ligjore, por anti-etike që dy prokurorë mos të paraqiten për revokim të masës së arrestit për liderin e opozitës zotin Sali Berisha. Shhikoni se para argumenteve tona që janë të mbështetura ligjërisht si në akte kombëtare ashtu dhe ndërkombëtare, mungesa e prokurorëve duhet t’ju tërheqë vëmendjen, investigojeni këtë rast. I bëj thirrje edhe drejtuesit të SPAK-ut që së paku të interesohet për këtë mungesë. Ne jemi koshientë që kjo është pjesë e skenarit të GJKKO-së për shtyrjen e seancës, djegien e mandatit të zotit Berisha. Është lënë në datën 8 ora 13:00, në datën 9 në Gjykatë të Lartë. Të jeni të sigurt që as të Hënën kjo seancë nuk do të zhvillohet pa mbaruar seanca në Gjykatën e Lartë. Këtu besoj e shikoni që ka një strukturë, një plan  të strukturuar”.

Është e disata herë që seanca për Berishën shtyhet. Sali Berisha ndodhet në “arrest shtëpie” që prej 30 Dhjetorit të shkuar, ashtu si dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Të dy akuzohen për korrupsion.