
Shtrenjtohet drastikisht nafta, çmimi kap nivelin më të lartë që nga viti 2008
Çmimet e naftës u rritën në nivelin më të lartë që nga viti 2008, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënë me dije se po diskuton me aleatët për një embargo të gjerë të furnizimeve ruse me hidrokarbure.
Nafta e papërpunuar, e cila përdoret si standard ndërkombëtar, shkoi në mbi 139 dollarë për fuçi, përpara se të binte sërish nën 130 dollarë.
Tregjet e energjisë dhe hidrokarbureve janë tronditur javët e fundit, për shkak të frikës për mungesë furnizimesh, të shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës. Javën e kaluar rritja e çmimeve shkoi në më shumë se 20%.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të dielën se administrata amerikane po shqyrton mundësinë e embargos mbi furnizimet ruse me naftë.
Pas tij, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, tha se Dhoma po “shqyrton” legjislacionin për ndalimin e importit të plotë të naftës ruse, që, sipas saj, do ta izolonte edhe më tepër Rusinë nga ekonomia globale.
Perëndimi ka ndërmarrë një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë, që kur Moska ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës, më 24 shkurt.
Situata me ndryshime drastike çmimesh në hidrokarbure u përjetua keq edhe në Shqipëri. Në fundjavë u shënua rritja më e madhe e regjistruar ndonjëherë me çmimin e naftës që kapi shifrën rekord të 235 lekë për litër.
Një javë më parë nafta tregtohej me 192 lekë, ndërsa në më pak se tre ditë çmimi u rrit me 38-40 lekë për litër. Pas reagimesh të shumta në rrjetet sociale, grupe të ndryshme kanë thirrur për protestë, përmes së cilës synohet t’i ushtrohet trysni qeverisë për të pezulluar taksat mbi naftën.
Në vitin 2008 nafta tregtohej në tregjet ndërkombëtare me rreth 140 dollarë për fuçi, ndërsa në Shqipëri çmimi i tregtimit ishte 180 lekë për litër.
Katërmbëdhjetë vite më vonë kur një fuçi naftë në tregjet ndërkombëtare iu afrua 140 dollarëve, në Shqipëri çmimi ka shkuar në 230 lekë për litër. Shkak i kësaj diference prej rreth 50 lekësh, janë taksat dhe abuzimi spekulativ i disa prej grosistëve të naftës.
Përveç qytetarëve pjesë e grupeve që po i kërkojnë reagim qeverisë janë bërë edhe sipërmarrësit, të cilët janë ankuar për rritje të papërballueshme të kostove.