Shtohet numri i martesave të hershme në Shqipëri, ekspertët: Problem serioz

Martesat në moshë të hershme po shënon rritje në Shqipëri dhe ekspertët e quajnë zhvillim negativ.

Emira Shkurti, Specialiste për Programin e Drejtësisë për të Miturit në UNICEF, tha se Shqipëria ka bërë hapa mbrapa në frenimin e martesave të hershme.

“Nga 2008-a në 2018-ën në vend që të kishte pasur përmirësim situata ka patur përkeqësim. Nga 9% e vajzave, 11% e vajzave janë të prekura nga martesa e hershme. Si ta ketë arritur vajza ose jo pjekurinë seksuale, ajo nuk e ka pjekurinë mendore për të shprehur pëlqim. Edhe sikur ta shprehë këtë pëlqim, ai konsiderohet 0 në sytë e ligjit.”

Sipas Shkurtit fenomeni është i përhapur kryesisht në zonat rurale dhe familjet e varfra. Shumica bëjnë martesë jo të ligjshme dhe në rastet kur e mitura mund të sjellë fëmijë në jetë, hasen dhe probleme me regjistrimin e foshnjave.

Pak ditë më parë u bë publik rasti i martesës së 14-vjeçareje me një 34 vjeçar në një fshat në Divjakës. Edhe martesa e tyre ishte paligjshme, ndërkohë që 34-vjeçari është në arrest për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me të mitur.

Martesat e hershme janë ngritur si problem dhe nga Komiteti i Konventës për të Drejtat e Fëmijes (KDF), kjo e nxit Shqipërinë që të heqë të gjitha ato përjashtime ligjore që ende lejojnë martesën e fëmijeve pa mbushur moshën 18 vjeç. Martesat nën moshë Shqipërisë i doli edhe nga raporti i screening nga Bashkimi Evropian.