Shtohen të huajt që vijnë në Shqipëri për të punuar

Të huajt po vijnë në Shqipëri gjithnjë e më shumë për të punuar dhe jo vetëm për të vizituar.

Rezulton në rritje nga viti në vit, numri i atyre që kanë mbërritur në Shqipëri duke kërkuar një punë.

SIpas disa të dhënave të publikuara nga mediat vendase, rezulton se në vitin 2023, 9825 të huaj kanë marrë miratime punësimi nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive. Në harkun kohor të 5 viteve ka gati një trefishim të numrit të tyre.

Përgjatë 2023-it shumica e të huajve që kanë ardhur në Shqipëri për punë rezultojnë se janë shtetas nga Turqia, Italia, Bangladeshi, Nepali apo India.

Sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka numrin më të lartë të miratimeve për punësim, pasuar nga sektori i ndërtimit, shërbimit, tregtisë me shumicë dhe pakicë si dhe industrisë përpunuese.

Tirana, Durrësi, Vlora dhe Fieri rezultojnë të kenë fluksin më të lartë të punonjësve të huaj për vitin e shkuar. Ata nuk vijnë vetëm si punëmarrës por edhe si sipërmarrës në Shqipëri.