
Shteti që nis eksperimentin me 4 ditë punë në javë, pa u prekur rroga
Mijëra punonjës në Britani kanë nisur provën katër-ditore punë në javë. Rreth 70 kompani po marrin pjesë në atë që mendohet të jetë skema pilot më e madhe në botë, në modelin e punës gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.
Eksperimenti është organizuar nga një grup që ka bërë fushatë për një javë më të shkurtër pune, por pa humbje në aspektin e pagave. Gjatë eksperimentit, punonjësit do të marrin 100% pagë për 80% të orëve që zakonisht do të punonin, me synimin për të qenë më produktivë.
Akademikë nga universitetet e Oksfordit dhe Kembrixh, si dhe ekspertë në Kolegjin e Bostonit në SHBA, do të menaxhojnë eksperimentin në partneritet me institutin “Autonomy”. Kompanitë variojnë nga zhvilluesit e programeve kompjuterike me bazë në zyrë dhe firmat e rekrutimit deri tek agjencitë për bamirësi dhe dyqane të ndryshme.
Sam Smith, bashkëthemelues i Pressure Drop Brewery në Tottenham, në veri të Londrës, tha se ishte “si një kohë e mirë” për firmën e tij që të provonte praktika të ndryshme pune. “Pandemia na bëri të mendojmë shumë për punën dhe mënyrën se si njerëzit e organizojnë jetën e tyre. Ne po e bëjmë këtë për të përmirësuar jetën e stafit tonë dhe për të qenë pjesë e një ndryshimi progresiv në botë që do të përmirësojë shëndetin mendor dhe mirëqenien e njerëzve.”
Sfida e Smith gjatë skemës pilot është shumë e thjeshtë. Ekipi i tij prej nëntë anëtarësh duhet të prodhojë dhe paketojë të njëjtën sasi birre si tani, por në katër ditë në vend të pesë.
“Unë mendoj se ka të bëjë me mënyrën se si e përdorni kohën. Pra, kur flas për të qenit produktiv, nuk dua të them të jesh më i shpejtë në detyrën që po bën tani”.
*Tibo News.