Shteti që do humbë 600 milionë euro këtë vit për shkak të pushuesve rusë

Industria e turizmit në Qipro po merr një goditje të madhe nga mungesa e turistëve rusë dhe ukrainas, me një humbje të vlerësuar prej 600 milionë eurosh vetëm këtë vit.

Qipro është një nga udhëtimet më të shkurtra nga Rusia, për në çdo destinacion pushimi mesdhetar. Kjo e bën atë një destinacion popullor me pushues nga Rusia dhe Ukraina. Por tani, për shkak të BE-së që ka ndaluar fluturimet nga Rusia, mungesa e tyre po ndihet shumë. Në vitin 2019, turistët rusë dhe ukrainas përbënin një të pestën e të gjithë turistëve në vendin-ishull. Në vitin 2022, numri i të ardhurve është afër zeros.

Bizneset po ndjejnë pasojat më të këqija, veçanërisht agjencitë lokale të udhëtimit që punojnë me operatorë të mëdhenj turistikë të fokusuar në tregun rus. Disa hotele në bregun lindor të Qipros që kujdeseshin për pushuesit rusë po ndjejnë gjithashtu humbjet. Ata mund të mos arrijnë shifrat që kishin parashikuar, por të paktën kanë një zgjidhje me tregje të tjera, veçanërisht ato europiane.

Pronarët e hoteleve, nuk kanë hequr dorë tërësisht nga dërgimi i turistëve rusë në Qipro këtë verë. Disa prej tyre thonë se po kërkojnë t’i çojnë ata në Qipro përmes vendeve që nuk preken nga ndalimi i fluturimeve si Serbia, Gjeorgjia dhe Izraeli. Krahas diellit, detit dhe rërës për të cilat Qiproja është e famshme, në fakt vendi ka një rëndësi të madhe për besimtarët.

Manastiri Kykkos, në kreshtën verilindore të vargmalit të Troodos të Qipros, ka qenë shtëpia e ikonës Virgjëresha Mari e mbuluar me argjend për gati një mijë vjet. Përpara pandemisë, qindra besimtarë ortodoksë rusë dhe ukrainas që vizitonin Qipron vinin çdo ditë për nderime.

Vende të tjera që mbështeten te vizitorët rusë dhe ukrainas si Turqia, Kuba dhe Egjipti gjithashtu u përgatitën për humbje pikërisht kur turizmi filloi të rikthehej nga pandemia.

*Tibo News