
Shqiptari “çmend” britanikët
Media angleze “Daily Mail” raporton rastin e një shqiptari të dënuar në Shqipëri për grabitje, por që ka fituar pasaportë dhe leje qëndrimi në Britaninë e Madhe.
Ai është Arsim Murati, 46-vjeç. Sipas Daily Mail, në nëntor të vitit 1997, Murati bashkë me katër persona të tjerë i zunë pritë një furgoni duke qëlluar më armë në ajër e më pas grabitën të gjithë udhëtarët.
Ai u arratis dhe u dënua në mungesë me 11 vjet burg. Në vitin 2009, pas arrestimit në Britaninë e Madhe, sipas artikullit të “Daily Mail” Murati u deportua në Shqipëri për të vuajtur dënimin. Por vetëm 6 vjet më pas ai u kthye në Britani ku rinovoi pasaportën e vjetër si shtetas nga Kosova që kërkonte azil me pretendimin se kishte ikur nga lufta dhe regjistroi një biznes me identitet të rremë, të cilin më pas e kaloi në emrin e tij të vërtetë.
Ai jeton në Northampton me vlerë të pronës 350,000 £ dhe pretendon se është i pafajshëm për grabitjen. Dokumentet gjyqësore shqiptare tregojnë se u dëbua në 2009 dhe u lirua në 2015.
Nuk dihet nëse ai u kthye në Britani legalisht pas dënimit në Shqipëri. Daily Mail ka kërkuar informacione nga Zyra e Brendshme, por ata refuzuan të komentojnë.