Shqipëria thyen tjetër rekord turistësh në Shkurt

Një tjetër rekord në krahasim me vitin e kaluar ka thyer muaji shkurt i këtij viti. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Turizmit, rreth një milion turistë të huaj e kanë vizituar Shqipërinë në dy muaj e parë të vitit 2024.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka bërë publike shifrat e flukseve hyrëse për muajin Shkurt, ku më shumë se 480 mijë vizitorë të huaj kanë vizituar vendin tonë, duke vijuar me tendencën rritëse të Janarit.

Postimi i ministres Kumbaro:

“Fantastike shifrat e muajit shkurt, me 55% më shumë vizitorë se shkurti i vitit të kaluar, duke bërë që Shqipëria të presë rreth 1 milionë turistë të huaj vetëm në dy muajt e parë të vitit 2024”.

E teksa vizitorët po rriten në numër muaj pas muaji, Shqipëria përmes ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit po prezanton ofertën turistike për këtë vit në Panairin e Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin.