Shqipëria Task Forcë të përbashkët kundër krimit me Emiratet e Bashkuara

Një propozim për ngritjen e një Task Force të përbashkët mes Ministrisë së Brendshme shqiptare dhe asaj të Emirateve të Bashkuara Arabe kundër krimit të organizuar u dakordësua të hënën në Abu Dabi nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe homologu i tij Saif Bin Zayed Al Nayan.

Ngritja e kësaj Task Force do forcojë mes të tjerave edhe bashkëpunimin mes Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dabi.

Ministri Balla tha:

“Kemi diskutuar për çështje që lidhen me bashkëpunimin mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit. Theksoj që bashkëpunimi ka qenë i mirë. Kemi pasur disa raste pozitive të trajtimit në mënyrë të veçantë e po ashtu do të vazhdojmë diskutimin për këtë çështje edhe me Ministrin e Drejtësisë për një çështje që ka marrë shumë vëmendjen në Shqipëri, që lidhet me ekstradimin e personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare drejt Shqipërisë”.

Ndërkaq, dy ministrat dakordësuan edhe për asistencën që Emiratet e Bashkuara Arabe pritet që t’i japin Shqipërisë në fushën e emergjencave civile.

Gjatë vizitës zyrtare në Abu Dabi, ministri Balla pritet të takohet dhe me ministrin e Drejtësisë në Emiratet e Bashkuara Arabe ku bashkë do diskutojmë për çështjet e deportimit apo ekstradimit të shqiptarëve të cilët i kërkon drejtësia për t’u përballur me akuzat.