
Shqipëria rrit eksportet me Kosovën
Në muajin mars 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me mars 2021 janë: Italia (67,1%), Kosova (25,2%) dhe SHBA. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Greqia (6%) dhe Spanja (44,6%).
Gjatë tremujorit të parë të këtij viti vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (54,5%), Kosova (52%) dhe Gjermania (123,3%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Spanja (66,8%) dhe Turqia (19,7%).
Në muajin mars 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me mars 2021 janë: Italia (0,8%), Turqia (53,5%) dhe Greqia (29,5%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: SHBA (9,5%), Kroaci (22%) dhe Zvicër (19%).
Gjatë këtij tremujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (12,7%), Turqia (52,7%) dhe Kina (9,1%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA (20,2%) dhe Zvicra (29,4%)
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 59,8%, të gjithë tregtisë. Në mars 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 71,3% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 53,2% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (30,4%), Turqia (9%), Greqia (6,7%) dhe Kina (6,5%).
Shkëmbimet tregtare, për tremujorin 2022, me vendet e BE-së zënë 60,9% të të gjithë tregtisë. Në periudhën shkurt – mars 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 73% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 54% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (31,8%), Turqia (8,3%), Gjermania (7%) dhe Greqia (6,6%).
Në mars 2022 eksportet e mallrave arritën vlerën 48 mld lekë, duke u rritur me 50,4%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 28%, në krahasim me shkurt 2022. Importet e mallrave arritën vlerën 84 mld lekë, duke u rritur me 29,7%, në krahasim me një vit më parë dhe me 21,7%, në krahasim me shkurt 2022. Deficiti tregtar i këtij muaji është 36 mld lekë, duke u rritur me 9,7%, krahasuar me mars 2021 dhe me 14,4 %, në krahasim me shkurt 2022.
Në këtë tremujor eksportet e mallrave arritën vlerën 120 mld lekë, duke u rritur me 49,6%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 207 mld lekë, duke u rritur me 27,9%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 87 mld lekë, duke u rritur me 6,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021.
Gjatë muajit mars 2022, në rritjen e eksporteve prej 50,4%, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +20,3 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +12,7 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me +6,7 pikë përqindje.
Eksportet, gjatë këtij tremujori janë rritur me 49,6%, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +18,5 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +14,4 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me +6,4 pikë përqindje.