
Shqipëria ‘nën ujë’, ja zonat më problematike
Shqipëria përfshihet nga reshje të shumta shiu, që kanë shkaktuar pëmbytje në disa qarqe, kryesisht në veri.
Situata u përkeqësua pasditen e së dieles, ku si pasojë e përmbytjeve dy persona, babë e bir humbën jetën.
Makina me të cilën udhëtonin babë e bir, u rrëmbye nga rrjedha e përroit në vendin e quajtur “Grykë Lugje” në Shkrel të Malësisë së Madhe.
Autoritetet njoftuan se në makinë ka qenë edhe vajza e mitur e 50 vjeçarit, e cila ka arritur të dalë dhe të shpëtohet nga një banor i zonës.
Në hyrje të qytetit të Shkodrës, në Harkun e Bërdicës, rruga është e përmbytur dhe për pasojë kalimi me automjete të vogla është i pamundur.
Ministria e Arsimit ka marrë vendimin për të pezulluar mësimin, ditën e nesërme në 16 shkolla të qarkut të Shkodrës, për të shmangur çdo lloj rreziku për nxënësit dhe mësuesit.
Përveç Shkodrës, situata është problematike edhe në qarqet Lezhë dhe Dibër, Durrës, Vlorë dhe Fier.
*Tibo News