Shqipëria mbyll procesin “Screening” me Bashkimin Europian

Lajmi është njoftuar nga ministri i Jashtëm i cili bën dhe vlerësimet e tij. Përfundimi i kësaj faze i hap rrugën, procesit më të rëndësishëm, atij të hapjes se grupkapitujve të parë. Nga 35 kapituj që janë në total Shqipëria do të nisë me shqyrtimin e kapitujve për drejtësinë. Por që të hidhet ky hap, më parë duhet marrë dakordësia e çdo njërit prej vendeve anëtare të BE-së për raportin e hartuar nga Komisioni për “screening”.

Aktualisht Shqipëria duket të ketë një disavantazh pasi Greqia ka deklaruar se nuk do ta mbështesë këtë raport duke e kushtëzuar votën e saj pro me betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.

Në 13 Dhjetor, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në një samit me vendet anëtare të BE-së në Bruksel, takim që do t’i paraprijë mbledhjes së 14 dhe 15 Dhjetorit të Këshillit Europian.

Nuk dihet nëse vendet anëtare do ta bindin kryeministrin grek që të mos bllokojë Tiranën zyrtare dhe të vendoset data për konferencën e dytë ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Vetë kryeministri Rama ka preferuar që në publik të mos i japë shumë zë kësaj çështjeje.

Ka patur një angazhim të krerëve të BE-së për ta bindur Greqinë të mos vendosë veton. Kancelari Scholz në krah të Mitsotakis u shpreh kundër përdorjes së çeshtjes dypalëshe për bllokimin e procesit të integrimit.