Shqipëria mbyll mandatin 2-vjeçar në Këshillin e Sigurimit të OKB

Shqipëria mbyll mandatin 2-vjeçar si vend jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB.

Ministri i Jashtëm Igli Hasani thotë se në atë mandat prej 24 muajsh, Shqipëria ka luajtur një rol aktiv për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Gjatë mandatit 2-vjeçar të Shqipërisë, çështja që dominoi diskutimet dhe vendimmarrjen e Këshillit të Sigurimit ishte ndërhyrja ruse në Ukrainë. Shqipëria u pa e linjëzuar me SHBA duke u bërë bashkëpenëmbajtëse për çdo dokument që shqyrtohej në tryezë për Ukrainën, ndërsa përballë kishin Rusinë, një nga 5 vendet me mandat të përhershëm në Këshillin e Sigurimit.

Çështje të tjera që ishin në axhendën e këtij mandati të Shqipërisë lidheshin me avancimin e axhendës së grave për paqe dhe siguri apo respektimi i ligjeve ndërkombëtare, të të drejtave të njeriut dhe llogaridhënies.

Sipas ministrit Hasani kjo mundësi për të qenë gjatë këtyre dy viteve në këtë tryezë e ndihmoi Shqipërinë të jetë një zë i besueshëm duke ndikuar dhe në politikën e jashtme, më tepër mbi pozicionin si një aktor i rëndësishëm dhe aktiv në rajonin e Ballkanit Perëndimor.