Shqipëria luan ndeshjen e parë në “Euro 2024”

Shqipëria debutoi në Kampionatin Europian “Gjermani 2024” ndaj Italisë. Në stadiumin e Dortmundit fituan Kampionët e Europës në fuqi me rezultatin 2-1. Golin e vetëm për kuqezinjtë e shënoi Nedim Bajrami.

Sfida nisi në mënyrë perfekte për Shqipërinë që gjeti rrugën e rrjetës që në sekondën e 23-të me Nedim Bajramin. Një gol rekord dhe historik, pasi është më i shpejti në një Kampionat Europian.

Italia barazoi rezultatin në minutën e 11-të me Bastonin, i cili e dërgoi topin në rrjetë pas një goditjeje me kokë nga brenda zonës. Kampionët e Europës në fuqi përmbysën rezultatin në minutën e 16-të me Barella. Në fund ndeshja në stadiumin e Dortmundit u mbyll me fitoren e Italisë 2-1.

Shqipëria do të luajë ndeshjen e dytë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024” më datë 19 qershor ndaj Kroacisë në stadiumin e Hamburgut, në ora 15:00.