Shqipëria konfirmon në Këshillin e Sigurimit mbështetjen ndaj Izraelit

Shqipëria konfirmon edhe një herë mbështetjen e plotë ndaj Izraelit, si një komb i sulmuar nga Hamasi.

Duke marrë pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit për “Situatën në Lindjen e Mesme, përfshirë çështjen e Palestinës”, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani theksoi se Izraeli dhe populli i tij kanë nevojë për mbështetjen e komunitetit të kombeve të lira, për t’iu përgjigjur terroristëve që kanë kryer krime të tmerrshme dhe vazhdojnë të vënë në pikëpyetje të drejtën e këtij shteti për të ekzistuar.

Më tej, ai theksoi se qëllimi i Hamasit nuk është të mbrojë palestinezët dhe se veprimet e tij nuk i përfaqësojnë ata. Ministri i jashtëm shqiptar evidentoi gjithashtu se bota demokratike nuk duhet të qëndrojë indiferente përballë thirrjeve dhe sjelljeve që vijnë nga narrativa naziste dhe se nuk duhet të lejojë që ky konflikt të përhapet më tej.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ishin të pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm Antonio Gutterres dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Entoni Blinken, të cilët konfirmuan mbështetjen për Izraelin, ndërsa bënë thirrje për ndihmë humanitare.