Shqipëria i jep hua Kosovës €2 mln energji elektrike

Shqipëria do t’i japë hua Kosovës një sasi prej 7680 MWH energji elektrike gjatë festës së ndërrimit të viteve.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka deklaruar se 3600 MWH do jepen për datën 31 dhjetor dhe 4080 MWH do jepen për 1 janarin.

Balluku ka qartësuar se ndihma do jetë hua për Kosovën, dhe kjo e fundit do ia kthejë gjatë sezonit veror, sipas një marrëveshje. Në terma financiarë kjo sasi energjie elektrike kap vlerën e rreth 2 milionë euro.

Prej ditësh qytetarët e Kosovës po vuajnë një krizë të thellë të mungesës së energjisë elektrike ku për pasojë ka patur ndërprerje të furnizimit.

Kompania që merret me shpërndarjen e energjisë elektrike “KEDS” thotë se aktualisht Kosova prodhon 600 deri në 800 megavat energji në orë, ndërsa konsumi arrin deri në 1,400 megavat në orë. Reduktimet u udhëzuan nga Operatori i Sistemit dhe Tregut – KOSTT në Kosovë për shkak të mbingarkesës në sistemin elektro-energjetik.

Ndërkaq, gjatë muajit tetor, Shqipëria bleu përmes OSHEE rreth 44 mijë megavat orë energji me vlerë rreth 6.4 milionë euro. Mesatarisht për një Mwh energji u paguan mbi 250 euro.