
Shqipëria e shtata në botë për refuzimet e azilit në BE
Në vitin 2021, rreth 2 mijë shtetas shqiptarë kanë marrë vendim final negativ nga një shtet i Bashkimit Europian për kërkesat që kishin bërë për marrjen e azilit, sipas statistikave të publikuara nga INSTAT.
Si një vend që synon të integrohet në Europë dhe që nuk ka konflikte civile, apo luftë, azilantët shqiptarë në pjesën më të madhe refuzohen të marrin statusin.
Shqipëria u rendit e shtata në botë për vendimet finale negative për vitin 2021, pas Rusisë (5,385), Turqisë (3,835), Nigerisë (2,635), Somalisë (2,365), Irakut (2,290) dhe Ukrainës (2,230). Në raport me popullsinë, vendi ynë ka refuzimin më të lartë në botë me 71 refuzime për 100 mijë banorë, shumë më e lartë sesa shteti i dytë pas nesh, që është Somalia, me 15 refuzime për 100 mijë banorë.
Shteti që ka dhënë më shumë refuzime për shtetasit shqiptarë është Greqia (1,020), e ndjekur nga Gjermania (480), Belgjika (200) dhe Suedia (245). Në vitin 2021, sipas Eurostat u dhanë 255 vendime pozitive për shtetasit shqiptarë, gati gjysma e të cilave nga Italia.
*Referuar Monitor, Tibo News.