AlbanianEnglish

Shqipëria do e blejë shtrenjtë energjinë, BERZH: 3.3% rritje ekonomike

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka rishikuar me ulje pritshmërinë për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2022, si rrjedhojë e pasojave që do të japë në prodhimin e brendshëm bruto sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.

Sipas BERZH, ekonomia e Shqipërisë pritet të zgjerohet me 3.3% në vitin 2022, duke u ulur me 0.4 pikë përqindje, në krahasim me projeksionin e muajit nëntor.

BERZH është institucioni i parë që rishikon me ulje rritjen ekonomike të vendit, në një sinjal që pasojat e krizës globale të shkaktuara nga lufta do të ndihen gjatë në vend.

BERZH parashikon që në vitin 2023, produkti i brendshëm bruto (PBB) i Shqipërisë të rritet me me 3.5%, sipas raportit të Përditësimit Ekonomik Rajonal, i cili trajton efektin e luftës ndaj Ukrainës në ekonominë globale.

Parashikimi i rritjes ekonomike të bankës për vitin 2022 për rajonin e Ballkanit Perëndimor u ul me 0.9 pikë përqindjeje në 3.2%.

Sipas BERZH, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndikohen negativisht nga çmimet më të larta të naftës, disa nga rritja e çmimeve të gazit.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria është më e ekspozuar se të tjerat ndaj rritjes së çmimeve të energjisë elektrike pasi importon një sasi dukshëm më të lartë të energjisë sesa eksporton, tha BERZH.

Ballkani Perëndimor mund të ndikohet indirekt nga një recesion më i gjerë europian dhe global, duke pasur parasysh ndërlidhjet e ngushta midis ekonomive të Ballkanit Perëndimor dhe eurozonës, veçanërisht në sektorin automotiv ku Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina mund të jenë më të goditurat.

INSTAT publikoi sot shifrat për ecurinë e prodhimit të Brendshëm bruto (PBB) për vitin 2021. Sipas INSTAT, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) u rrit me 8.54%, në 2021, që është niveli më i lartë që nga viti 2001.

Gjithsesi, kjo rritje e lartë lidhet me bazën e ulët të 2020-s, kur ekonomia u tkurr me -3.96%, e ndikuar kryesisht nga sektorët e industrisë dhe transporti, akomodimi e shërbimi ushqimor, të cilat panë dhe rënien më të fortë si rrjedhojë e kufizimeve lokale e ndërkombëtare për të frenuar pandemisë.

Për vitin 2022, qeveria shqiptare dhe institucionet ndërkombëtare kanë parashikuar një rritje prej rreth 4%, por pritshmëritë pritet të rishikohen, pas pasojave që po jep në ekonominë globale sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.

You don't have permission to register