Shqipëria del nga lista gri e pastrimit të parave, Balluku flet nga konferenca

Ministrja Belinda Balluku gjatë konferencës për parandalimin e pastrimit të parave deklaroi se janë shtuar kapacitetet njerëzore në Agjencinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave, duke shtuar se Inteligjenca Artificiale dhe ndërveprimi mes institucioneve në luftën kundër krimit ekonomik është një synim madhor i qeverisë shqiptare.

Pjesë nga deklarata e ministres Balluku: 

“Në takimin e daljes së vendit nga lista gri Shqipëria morri përgëzime të shumta nga përfaqësuesit e vendeve të tjera për progresin domethënës të vendit tonë ndaj gjej rastin të falenderoj secilin ekip që ka kontribuar në këtë punë në përkushtimin dhe angazhimin profesional që keni treguar gjatë këtij procesi.

Ne i kemi kushtuar shumë vëmendje rritjes së kapaciteteve institucionale si dhe investimeve në sistemet e teknologjisë së infomacionit me synim rritjen e efektivitetit të proceseve të punës. Gjatë këtij viti kemi pasur edhe një riorganizim të drejtorisë së parandalimit të Pastrimit të Parave duke e kthyer atë në një agjenci të mirëfilltë e cila është mbështetur nga buxheti i shtetit edhe me shtimin e kapaciteteve njerëzore dhe ekspertëve, por pa dyshim edhe atë të teknologjisë duke e sjellë në të njëjtin nivel me agjencitë e vendeve evropiane.

Inteligjenca Artificiale dhe ndërveprimi mes institucioneve në luftën kundër krimit ekonomik është një synim madhor i qeverisë shqiptare. Kemi në fokus të takimit disa çështje kryesore ku çështja e parë është miratimi i vlerësimit kombëtar të riskut dhe planit të veprimit të tij. Pika e dytë është miratimi i disa fushave ku do të duhet të përqëndrohemi si dhe rekomandime të posaçme teknike që mund të kenë ndryshuar vitet e fundit. Do të jetë edhe rikonceptimi i grupit teknik ndërinstitucional të punës duke e kthyer atë në organizëm dinamik dhe proaktiv me takime të rregullta. Së fundmi synojmë të biem dakord për nevojën e një strategjie kombëtare në fushën e parandalimit dhe goditjes së pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit duke hartuar dhe miratuar këtë strategji brenda 6-mujorit të parë të vitit 2024.”