Shpërthen hapur lufta për pushtet mes Moskës e trupës Wagner. Putin: S’do lejoj luftë civile

Lufta për pushtet mes trupës Wagner dhe ushtrisë së rregullt ruse është shkallëzuar. Në Rostov kanë marshuar trupat Wagner, ndërsa në Moskë shpallet gjendja e alarmit nga terrori.
Konflikti ziente prej kohësh por tani ka shpërthyer hapur. Nga Rusia njoftohet për një kryengritje të mundshme të kreut të trupës militariste, Wagner, Jevgeni Prigoshin kundër ushtrisë së rregullt ruse. Kreu i trupës, Prigoshin, sipas të dhënave të veta, me ushtarët që kanë qenë në Ukrainë kaloi kufirin për në Rusi. Ata kanë mbërritur në Rostov mbi Don, deklaroi Prigoshin në një video të publikuar në Telegram. “Godinat ushtarake në Rostov, mes tyre edhe një aeroport ushtarak janë nën kontroll”, tha Prigoshin në video. Të dhënat nuk mund të verifikohen.
Sipas tij, ai do të negociojë me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergej Shoigun dhe ka siguruar, se ky aksion nuk është puç ushtarak. Ai ka akuzuar Moskën për sulm kundër trupave të tij. Më tej Prigoshin ka thënë, se hyrja në Rostov nuk pengon “operacionin special ushtarak” të Rusisë. Nga aeroporti ushtarak avionët vazhdojnë të ngirhen sipas planit, ka thënë Prigoshin. “Avionët (…) ngrihen sipas orarit.”
Por më tej Prigoshin ka thënë, se ai dhe ushtarët e tij janë gati “deri në fund” të veprojnë kundër ushtrisë ruse e të shkojnë deri në Moskë, nëse Shoigu dhe kreu i shtabit Valeri vijnë tek ai. Do të shkatërojmë këdo që na del përpara. Në një njoftim të tjetër, thuhej se është qëlluar një helikopter rus, që kishte hapur zjarr kundër një konvoi civil.
FSB kërkon nga ushtarët Wagner arrestimin e Prigoshin
Më parë kreu i ushtrisë private ishte shprehur hapur kundër lidershipit ushtarak rus dhe kishte kundërshtuar argumentimin e njohur të Rusisë për luftën në Ukrainë, se Rusisë i vjen një rrezik prej Ukrainës. Ministria e Mbrojtjes në Moskë u bën thirrje ushtarëve Wagner të mos ndjekin urdhrat e Prigoshin, dhe se janë “mashtruar e futur në një aventurë kriminele”, siguria e tyre do jetv e garantuar, premton Ministria e Mbrojtjes.
Shërbimi sekret rus,FSB kishte apeluar më parë ndaj ushtarëve të trupës Wagner të arrestojnë shefin e tyre. “Ne i bëjmë thirrje luftëtarëve të ushtrisë private, (…) të ndalin të gjiha veprimet ushtarake kundër popullit rus, të mos ndjekin urdhrat kriminele dhe tradhtare të Prigoshin dhe të marrin masa për arrestimin e tij”, thuhej në një deklaratë të FSB. Deklaratat e Prigoshin janë “një thirrje për konflikt të armatosur civil brenda territorit rus.”
Në qendër të Moskës kanë dalë në rrugë tanket. Në kryeqytetin rus janë rritur masat e sigurisë dhe të gjitha objektet e rëndësishme janë nën vëzhgim të shtuar, ka bërë të ditur agjencia shtetërore TASS. Në Moskë Komiteti për Luftimin e Terrorizmit kanë shpallur gjendjen e alarmit në rast terrori në Moskë dhe rajonet.
FJALIMI I PUTINIT
Një një fjalim televiziv të shtunën (24.06.) drejtuar popullit rus, Vladimir Putin ka pranuar bllokadën e objekteve të rëndësishme në qytetin jugor rus, Rostov dhe se situata është e vështirë. Në Rostov gjendet shtabi qendror i ushtrisë ruse për luftën në Ukrainë. “Faktikisht puna e organeve civile dhe ushtarake është bllokuar”, tha Putin. Ai bëri fjalë për ndëshkimin e përgjegjësve pas thirrjes për kryengritje të armatosur të rekrutëve të trupës Wagner. Trupat e armatosura kanë marrë urdhrin për të vepruar ndaj atyre që kanë organizuar kryengritjen, tha Putin në fjalim të shtunën.
Putin akuzon si tradhtare trupën Wagner
Presidenti rus akuzoi trupat Wagner si “tradhtarë” që do të ndëshkohen pa vonesë. Kryengritja e trupës Wagner është “kërcënim vdekjeprurës” për Rusinë tha presidenti rus, i cili theksoi, se nuk do të lejojë një luftë civile në Rusi. Ai iu drejtua rusëve për unitet dhe e cilësoi thirrjen për kryengritje një “thikë pas shpine” për Rusinë. Putin e akuzoi Prigoshin, që ka qenë një i besuar prej kohësh i Putinit, se për shkak të një ambicie të tejskajshme po tradhton vendin e tij.