Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në New York për shkak të përmbytjeve

Një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në New York të SHBA-ve pasi stuhitë e forta kanë shkaktuar përmbytje të mëdha.

Shumë prej sistemeve të metrosë, rrugëve dhe autostradave të qytetit janë përmbytur, ndërsa të paktën një terminal në aeroportin LaGuardia u mbyll të premten.

Deri në 20 cm shi ra në disa pjesë të qytetit dhe disa cm të tjerë priten më vonë, thanë sinoptikanët.

“Kjo është një stuhi e rrezikshme, kërcënuese për jetën,” deklaroi guvernatorja Kathy Hochul.

“Unë po shpall një gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë qytetin e Nju Jorkut, Long Island dhe Luginën Hudson për shkak të reshjeve ekstreme që po shohim në të gjithë rajonin”.

Ajo u bëri thirrje njerëzve të ndërmarrin hapa për të qëndruar të sigurt dhe “të mos përpiqen të udhëtojnë në rrugët e përmbytura”.

Nuk është raportuar për vdekje apo lëndime kritike.

Një gjendje e jashtëzakonshme u shpall gjithashtu në qytetin Hoboken të Nju Xhersit, pikërisht përtej lumit Hudson nga qyteti i Nju Jorkut.

Në qytetin e Nju Jorkut, kryebashkiaku Eric Adams, paralajmëroi njerëzit se ishte koha për “vigjilencë të shtuar dhe kujdes ekstrem” pasi u vendos gjendja e jashtëzakonshme.

Përmbytjet shkaktuan ndërprerje të mëdha në sistemin e metrosë së Nju Jorkut dhe në shërbimin hekurudhor të udhëtarëve Metro North, sipas Agjencisë së Transportit Metropolitan. Disa linja metroje u pezulluan plotësisht dhe shumë stacione u mbyllën.

Në Mamaroneck, një periferi e kontesë Westchester në veri të qytetit, zyrtarët e urgjencës përdorën gomone për të shpëtuar njerëzit e bllokuar në ndërtesa nga përmbytjet.

Fotot dhe pamjet me video tregonin njerëz që kalonin nëpër ujë që arrinte deri në gjunjë, ndërsa rrugët dhe metrotë u goditën nga shiu i madh. Disa video të postuara në mediat sociale dukeshin se tregonin ujë që derdhej nga tavani dhe muret e stacioneve të metrosë dhe në platformat e përmbytura.