Shmangia e tatimit të dyfishtë, ministria e Financave nxjerr për konsultim publik udhëzimin e ri

Ministria e Financave ka publikuar për konsultim publik projektudhëzimin e ri “Për zbatimin e marrëveshjeve për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal”.

Dokumenti sjell disa risi që kanë të bëjnë kryesisht me harmonizim me legjislacionin e brendshëm mbi tatimet direkte dhe konkretisht Ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat” miratuar ne mars 2023, përditësimin me modelin e marrëveshjes së vendit tonë me modelet e fundit të OECD dhe OBK, si edhe harmonizimin me procedurat e parashikuara dhe detyrimet që lindin nga konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare ku Shqipëria është bërë palë.

Udhëzimi i ri parashikon lehtësim të procedurave që duhet të zbatohen nga tatimpaguesit për zbatimin e Marrëveshjeve për eliminimin e Tatimit të Dyfishtë, e cila synohet të realizohet nëpërmjet:

Zëvendësimit të “Procedurës së Aplikimit” që zbatohet aktualisht dhe pritet miratimi nga DPT, me “Procedurën e Njoftimit të Administratës Tatimore”, pa pritur miratimin paraprak të Administratës Tatimore. Për efekt kontrolli, aplikimet e tatimpaguesve në kuadër të zbatimit të marrëveshjeve do i nënshtrohen në vijim procedurës së vlerësimit të riskut dhe do kontrollohen nga strukturat e auditimit të Drejtorive Rajonale;

Thjeshtimit të dokumentacionit dhe formularëve që tatimpaguesi duhet të dorëzojë në Administratën Tatimore, me qëllim argumentimin e zbatimit të dispozitave të Marrëveshjeve;

Zëvendësimin e procedurës së dorëzimit manual të dokumentacionit me ngarkimin elektronik të tyre, me qëllim reduktimin e kostove dhe kohës së tatimpaguesit.

Pasi t’i nënshtrohet procedurës së konsultimit publik, projektudhëzimi i ri, pritet të hyjë në fuqi, me t’u miratuar me urdhër të Ministrit të Financave./Monitor

Draft-Udhezim-Taksimi-Dyfishte (2)