
Shkodra, “djepi i kulturës’, por jo vetëm
Shkodra është djepi i kulturës shqiptare dhe krenaria e Veriut të Shqipërisë. Është qyteti i bicikletave, i ndërtesave historike, i vlerave, traditave, i humorit dhe i qejfit, e jo më kot thonë: “Me ken shkodran, tana i ban!” Shkodra mirëpret këdo që viziton dhe ofron pamje fantastike,argëtim dhe çlodhje.
Qyteti shtrihet në veri-perëndim të Shqipërisë, me 13 maja në Alpe që i kapërcejnë 2000 m lartësi si: Jezerca, Papluka, Mali iVilës, Radohima etj. Luginat i japin bukurinë si ajo e Shalës, Kirit, Përroit të Thatë dhe me pasuri të tilla si Drini, Buna e Liqenin i Shkodrës.
Sa i takon turizmit historik e kulturor, mjafton të përmendim Kështjellën e Rozafës, apo Kalaja e Shkodrës, me sipërfaqe prej rreth 9 hektarë. Në periudhën e lashtë muret ishin të stilit poligonal, gjurmë të të cilave ruhen edhe sot.
Fototeka kombëtare ‘Marubi’, është krijuar më 1970 pas dhurimit që i bëri Gege Marubi arkivit së tij personal prej tre brezash. Ky është një nga arkivat më të pasur të Ballkanit ku gjen pamje nga pashallarë, vezirë, oficerë turq dhe deri konsuj të kombësive të ndryshme, italianë, francezë, austriakë, anglezë, rusë, grekë, serbë, figura nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore dhe figura shqipëtarësh të rëndësishm si Luigj Gurakuqi, Fishta, Mjeda, Asdreni, Koliqi, Lasgush Poradeci, Migjeni, Azem e Shote Galica e shumë e shumë figura të tjera të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Një vend me vlera të mësha kulturore për të gjithë Shqipërinë e një vend që ia vlen të vizitohet.
Shkodra njihet edhe për orkestrën frymore, konsiderohet një nga kryeqëndrat muzikore në trashëgiminë kulturore. Në fillim të shekullit XX Shkodra kishte 26 piano. Madje koncerti i parë sinfonik, ka qenë “Sinfonia e pambaruar” e Shubertit. Pikërisht në Shkodër, më 1958, u vu në skenë opera e parë shqiptare “Mrika” e kompozitorit Prenkë Jakova.Muzika shkodrane është një nga më të njohurat e më të dashurat në të gjithë Shqipërinë.
Sa i përket turizmit liqenor e detar fshati turistik Shirokë shtrihet buzë Liqenit të Shkodrës, poshtë malit të Taraboshit, vetëm 7 km larg qytetit. Pika turistike e Shirokës është padyshim një nga joshjet më të veçanta që të ofron një fundjavë për të qënë pranë saj. Një fundjavë, që përveç klimës dhe ajrit të pastër ka brenda saj edhe kënaqësinë e të shijuarit të një dreke në lokalet e shumta që janë ndërtuar vitet e fundit në hapësirën turistike të kësaj zone.
Në jugperendim të qytetit të Shkodrës shtrihet plazhi i bukur i Velipojës me gjatësi 14 km e me gjërësi rreth 300 m që krijon mundësi të shumta për shfrytëzimin turistik. Ky bregdet konsiderohet perlë e natyrës shqiptare.
Razma është Turizmi Malor i Shkodrës. Razma është një nga vendet më të bukura dhe me klimën më të shëndetshme të Alpeve. Razma, ndryshe nga zonat e tjera turistike alpine, frekuentohet dendur në të gjitha stinët e vitit.
*Tibo News