
Shifra stratosferike, sa shkon kostoja e tërmetit në Turqi e Siri
Plagët e tërmeteve në Siri dhe Turqi duket se do të jenë pjesë e jetës ndërkohë që edhe numri i viktimave rritet ora pas ore. Por një sfidë tjetër e madhe për shtetin turk është edhe rimëkëmbja e qyteteve të rrafshuara. Konfederata Turke e Ndërmarrjeve dhe Biznesit ka bërë një vlerësim paraprak ku duket se tërmetet shkatërruese do të kushtojnë plotë mbi 75 miliardë euro, një shifër e cila është e paimagjinueshme të përballohet e vetme.
Sipas të dhënave zyrtare, 10 provincat e shkatërruara përbëjnë 15% të popullsisë së Turqisë dhe prodhojnë 10% të PBB-së së saj.
60.3 miliardë euro do të nevojiten për rindërtimin dhe riparimin e shtëpive dhe infrastrukturës sipas një vlerësimi nga Konfederata.
Gjatë vizitës në zonat e dëmtuara presidenti Tajip Erdogan tha se do të rindërtojë të gjitha shtëpitë brenda një viti, por fillimisht do të përballet me koston e strehimit të mijëra personave të mbetur pa shtëpi.
Aktualisht, një pjesë e mirë e personave që kanë mbetur pa një strehë mbi kokë janë dërguar në hotele në zonat turistike.