Shifra rekord të migrimit të brendshëm për shkak të konflikteve dhe fatkeqësive

Sipas një raporti të publikuar të enjten nga Qendra e Monitorimit të Zhvendosjeve të Brendshme, deri në fund të vitit të kaluar, numri i personave të zhvendosur brenda vendeve të tyre në nivel global, arriti shifrën rekord prej 71,1 milionësh.

Të dhënat tregojnë një rritje prej 20% të numrit të të zhvendosurve krahasuar me vitin 2021.

Lufta në Ukrainë ishte ndër shkaqet kryesore nxitëse të zhvendosjes së brendshme. Sipas raportit, si pasojë e luftës u zhvendosën 17 milionë persona. Të tilla zhvendosje pati edhe për shkak të përmbytjeve masive në Pakistan, 8 milionë persona.

Në nivel botëror, dhuna dhe konfliktet ndikuan që deri në fund të vitit 2022, numri i të zhvendosurve brenda vendeve të arrinte në 62, 5 milionë persona.

Thuajse tre të katërtat e personave të zhvendosur në botë ishin në 10 vende, Siri, Afganistan, Republika Demokratike e Kongos, Ukrainë, Kolumbi, Etiopi, Jemen, Nigeri, Somali dhe Sudan.

“Ndërthurja e konflikteve dhe fatkeqësive vitin e kaluar ndikuan në thellimin e pabarazive të mëparshme dhe përkeqësimin e gjendjes së personave të ekspozuar ndaj rreziqeve, duke provokuar rritjen e numrit të të zhvendosurve në një nivel që nuk ishte regjistruar kurrë më parë”, tha Jan Egeland, sekretari i përgjithshëm i Këshillit Norvegjez të Refugjatëve, i cili themeloi Qendrën e Monitorimit të Zhvendosjve të Brendshme./ VOA