Sherr në një lokal në Tropojë, vritet 24-vjeçari dhe plagosen të tjerë
Një djalë i ri 24 vjeç ka ndërruar jetë në Tropojë, si dhe dy të tjerë janë plagosur. Ngjarja e rëndë raportohet të ketë ndodhur rreth orës 17:00 të së enjtes në një lokal në fshatin Breg-Lumë.
Motivi thuhet të ketë qenë një sherr për motive të dobëta në të cilin janë përfshirë 9 persona.
Policia bën me dije se një 40-vjeçar goditi me thikë 3 persona, një 45-vjeçar dhe 2 vëllezër të moshës 32 dhe 24 vjeç.
Si pasojë e plagëve, 24-vjeçari humbi jetën në spital. Për ngjarjen e rëndë policia ka arrestuar 5 persona. Ndërsa autori i dyshuar i vrasjes dhe plagosjes së dyfishtë është shpallur në kërkim.
Njoftimi nga policia:
“Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe policore të kryera menjëherë pas rastit të ndodhur më datë 11.07.2024, rreth orës 17:00, në një lokal në fshatin Breg-Lumë, ku për motive të dobëta, shtetasi S. S., 40 vjeç, plagosi me mjete prerëse, shtetasit V. P., 32 vjeç, Sh. K., 45 vjeç, si dhe vëllanë e shtetasit V. P., shtetasin A. P., 24 vjeç, i cili si pasojë e plagëve, humbi jetën në spital, u arrestuan shtetasit:”
“-A. Q., 39 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”; -Xh. M., 31 vjeç, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzimi i krimit”; -A. Sh., 34 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”; -A. B., 29 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”; -J. K., 34 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Gjithashtu, vijojnë kërkimet intensive për kapjen e shtetasit S. S.