Shënohet viktima e parë nga gripi në Shqipëri

Në Shqipëri po rriten infektimet me Covid-19 dhe rastet me grip ashtu si në Europë dhe SHBA. Mbrëmjen djeshme sipas mediave vendase u shënua viktima e parë e gripit për këtë vit.

Rasti regjistrohet në Tiranë dhe thuhet se ishte një 71-vjeçar i cili ka humbur jetën si pasojë e gripit.

I moshuari ka humbur jetën në Spitalin Infektiv të QSUT në Tiranë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ai vuante dhe nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese dhe gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar më shumë nga gripi.

Me vdekjen e 71-vjeçarit, shënohet fatkeqësisht viktima e parë në vendin tonë si pasojë e gripit.

Covid-19 po bashkëqarkullon në popullatën shqiptare bashkë me gripin, që aktualisht po dominon, pasi 20% e rasteve të dyshuara rezultojnë pozitiv.

Shenjat e shfaqjes së Covid-19 dhe gripit ngjajnë me ato të një infeksioni viral.
Për të shmangur rastet e rënda, ekspertët rekomandojnë edhe vendosjen e maskës, por jo me detyrim.

Covid-i dhe gripi po bashkëqarkullojnë me infeksionet respiratore që kanë sjellë fluks pacientësh në qendrat shëndetësore.