
Shefi i OKB-së kritikon firmat e naftës dhe gazit: “Tu vendosim taksa”
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë thirrje që kompanitë e naftës dhe gazit të përballen me taksa të veçanta.
Komentet e tij vijnë pasi rritja e çmimeve të energjisë të shkaktuar nga lufta në Ukrainë i shtyn fitimet e industrisë në nivele të larta.
Guterres tha se ishte “imorale” që firmat të përfitonin nga kriza.
Pushtimi rus i Ukrainës në shkurt ka përkeqësuar mungesën globale të naftës dhe gazit, duke ndërprerë aksesin në naftë dhe gaz nga Rusia dhe duke rritur çmimet.
Ndërsa familjet po përballen me fatura më të larta të energjisë, kompanitë po korrin përfitime.
BP raportoi së fundmi fitimin e saj më të madh në 14 vjet, ndërsa fitimet e Shell në periudhën prill-qershor arritën një rekord.
Së bashku, katër nga firmat më të mëdha të energjisë, Exxon, Chevron, Shell dhe TotalEnergies, fituan rreth 51 miliardë dollarë në tremujorin e fundit, pothuajse dyfishi i asaj që fituan në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Si funksionon taksa e papritur për firmat e energjisë?
Gjigantët e energjisë shohin se fitimet rriten me rritjen e faturave
“Kjo lakmi groteske po ndëshkon njerëzit më të varfër dhe më të cenueshëm, ndërsa shkatërron shtëpinë tonë të vetme të përbashkët,” tha zoti Guterres.
“Unë u bëj thirrje të gjitha qeverive të tatojnë këto fitime të tepërta dhe të përdorin fondet për të mbështetur njerëzit më të cenueshëm në këto kohë të vështira.”
Muajin e kaluar, Mbretëria e Bashkuar miratoi një ‘taksë të papritur’ 25% për firmat e energjisë, një taksë e vetme që qeveria thotë se do të mbledhë rreth 25 miliardë paund për të ndihmuar në kompensimin e faturave të energjisë shtëpiake, të cilat janë rritur.
Disa vende të tjera, si Italia, kanë vendosur masa të ngjashme.
Ligjvënësit francezë kohët e fundit e hodhën poshtë një masë të tillë ndërs në SHBA nuk ka akoma masa të ngjashme, pavarësisht një propozimi të papritur tatimor nga disa anëtarë të Kongresit.
Frank Macchiarola, një nënkryetar i lartë për grupin e lobit të naftës dhe gazit, Instituti Amerikan i Naftës, tha se thirrjet për një taksë të papritur ishin të gabuara.
“Politikbërësit duhet të fokusohen në rritjen e furnizimit me energji dhe uljen e kostove për amerikanët. Vendosja e taksave të reja në industrinë tonë do të bëjë të kundërtën dhe vetëm do të dekurajojë investimet në një kohë kur është më e nevojshme,” tha ai.
Guterres paralajmëroi se çmimet e larta të energjisë do të kishin pasoja të gjera, pasi familjet dhe qeveritë në mbarë botën shtrëngohen nën presionin e tyre.
“Shumë vende në zhvillim, të mbytur në borxhe, pa akses në financa dhe duke luftuar për t’u rikuperuar nga pandemia Covid-19, mund të shkojnë në prag,” tha ai. “Ne tashmë po shohim shenjat paralajmëruese të një vale trazirash ekonomike, sociale dhe politike që nuk do të linin asnjë vend të paprekur.”