
Shefi i Binance refuzon t’i kufizojë rusët nga këmbimi i kriptovalutave
Shefi i Binance, një prej platformave më të mëdha në botë të këmbimit të kriptovaluta, ka përjashtuar mundësinë e kufizimit të rusëve nga përdorimi i platformës.
Themeluesi dhe shefi ekzekutiv, Changpeng Zhao, tha për programin Today të radios së BBC-së se “shumë rusë nuk pajtohen me luftën” dhe se “nuk është e drejtë që atyre t’u kufizohet ky shërbim për vendime që janë marrë nga politikanë”.
Ukraina ka kërkuar bllokimin e llogarive të rusëve në platformat e këmbimit të kriptovalutave, njësoj si për politikanët edhe për përdoruesit e rëndomtë, kjo si politikë që do të ndikonte në frenimin e pushtimit rus. Thirrja është bërë përmes zëvendëskryeministrit të Ukrainës Mykhailo Federov.
Por drejtuezi Zhao mendon ndryshe. Ai thotë se për listën e përgjithshme të sanksioneve ndaj politikanëve mund të veprohet, por jo në tërësi ndaj gjithë rusëve.
Spekulime të ndryshme kanë treguar se oligarkët rusë mund t’i këmbejnë paratë në kriptovaluta për të shmangur sanksionet dhe kufizimet e Perëndimit.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, vlera e Bitcoin në treg është rritur me 13% që nga pushtimi rus i Ukrainës. Gazeta Telegraph i ka quajtur kriptovalutat “super-mburojë për Putinin që mund t’u bëjë ballë sanksioneve”.
Financial Times raportoi se këmbimi i rublës ruse me kriptovalutat si Bitcoin u dyfishua që nga fillimi i sulmit ndaj Ukrainës, duke arritur në 60 milionë dollarë në ditë.
I pyetur për këtë çështje Changpeng Zhao tha se Binance nuk është kundër asnjë lloj popullsie dhe nuk bën dallim mes përdoruesve.
Zhao minimizoi ndikimin e përdoruesve të kriptovalutave te lufta në Ukrainë dhe tha se do të shqyrtonte mundësitë për t’i zbatuar sanksionet vetëm ndaj politikanëve dhe oligarkëve rusë.
Ai theksoi se Binance nuk e kontrollon tërësisht rrjetin e këmbimit të kriptovalutave dhe se në mos prej platformës së tij, rusët mund të gjejnë sërish alternativa të tjera për t’i kryer këmbimet, nëse vërtetë ekziston mundësia që platforma të kthehet në mekanizëm për të shmangur sanksionet.
Në një deklaratë të publikuar më herët, Binance tha se “Kripto ka për qëllim të sigurojë liri më të madhe financiare për njerëzit në të gjithë globin” dhe se “çdo ndalim i njëanshëm do të hidhte poshtë një nga parimet kryesore të rrjetit të kriptovalutave”.
Lufta në Ukrainë mund të bëhet konflikti i parë i kriptovalutave, pasi ata që kërkojnë “të shmangin sanksionet, dhe të mbrojnë kursimet e tyre ose të shmangin një sistem bankar në kolaps, i drejtohen kriptomonedhave për zgjidhje”.
Analistë të sistemit BlockChain than se vetëm gjatë vitit 2021 përmes kriptovalutave u pastruan 8.6 miliardë dollarë, 30% më shumë se në vitin 2020.