SHBA vret kreun e Al-Qaeda, përgjegjës për sulmet e shtatorit

Shtetet e Bashkuara vranë shefin e Al-Qaeda, Ayman al-Zawahiri gjatë fundjavës në një sulm me dron gjatë një “operacioni të suksesshëm kundër-terrorist” në Afganistan, sipas mediave amerikane.

Zawahiri, i konsideruar organizatori i sulmeve të 11 shtatorit 2001, që lanë afro 3,000 të vdekur në New York, u bë kreu i organizatës terroriste pas vdekjes së Osama bin Ladenit në 2011 nga duart e një komando amerikane në Pakistan.

Presidenti Joe Biden foli në televizion në orën 19:30 (23:30 GMT) për një “operacion të suksesshëm kundër terrorizmit”, sipas Shtëpisë së Bardhë, por nuk ka dhënë shumë detaje.

Një zyrtar i qeverisë amerikane tha se SHBA kreu një “operacion kundër-terrorist kundër një objektivi kryesor të Al-Qaeda” në Afganistan gjatë fundjavës, pa përmendur Ayman al Zawahirin.

Operacioni “ishte i suksesshëm dhe nuk pati viktima civile,” tha ai.

Sipas mediave amerikane, Ayman al-Zawahiri mund të jetë vrarë në një sulm me dron të kryer nga CIA në kryeqytetin afgan, Kabul.

Departamenti i Shtetit ofronte deri në 25 milionë dollarë shpërblim për çdo informacion që çonte në arrestimin ose dënimin e liderit të Al-Qaeda.

Ky njoftim vjen pothuajse një vit pas tërheqjes kaotike të forcave amerikane nga Afganistani, e cila i lejoi talebanët të rimarrin kontrollin e vendit njëzet vjet pasi u përmbysën.

Në mes të korrikut, Shtetet e Bashkuara njoftuan se kishin vrarë liderin e grupit të Shtetit Islamik në Siri, Maher al-Agal, gjatë një sulmi me dron, një operacion që “dobësoi ndjeshëm aftësinë e organizatës për të përgatitur, financuar dhe kryejnë operacione luftarake në rajon”, tha një zëdhënës i ushtrisë amerikane.

 

*TiboNews